Nis aplikimi online nga zyra e noterit për 27 shërbime të ZRPP

Nis aplikimi online nga zyra e noterit për 27 shërbime të ZRPP

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka marrë sot pjesë në ceremoninë e prezantimit të sistemit të aplikimit online pranë noterit, për shërbimet e ofruara nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

 

Realizimi me sukses i këtij projekti, që është bërë me dije nga ana e Ministrit Manjani që në nisjen e detyrës së tij, synon ofrimin e shërbimeve të shpejta, cilësore dhe efektive, tashmë edhe pa qenë nevoja që qytetarët t’i drejtohen Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por duke shkuar vetëm një herë pranë noterit.

 

Referuar rëndësisë së kësaj nisme, që sot ka nisur të aplikohet fillimisht në Tiranë, Ministri Manjani bëri me dije se ka një plan të qartë veprimi për ta shtrirë në gjithë territorin e vendit.

 

“Aplikimi që është bërë deri më sot dhe vazhdon dhe behët në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtura, mund të bëhet tek zyra e noterit dhe të çohet online në zyrën e regjistrimit. Menjëherë personi përgjegjës në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtura verifikon dokumentacionin dhe kthen  përgjigje online tek zyra e noterit. Pra, kjo është një mundësi, një lehtësim që ju japim qytetarëve të Shqipërisë, për ta marrë këtë shërbim tek zyra e noterit me çelsa në dorë. Kjo është një mundësi që na e jep tashmë komunikimi elektronik dhe unë dua të falenderoj të gjithë personelin. Kjo është një terapi antikorrupsion e pastër dhe që ka gjithë mbështetjen time si Ministër i Drejtësisë por edhe të Qeverisë Shqiptare. Noterët tashmë po marrin trajnime në zyrat tona se si ta përdorin këtë sistem. Unë jam i sigurt dhe kam gjithë vendosmërinë e nevojshme dhe bashkëpunimin me Dhomën Kombëtare të Noterisë që këtë proces ta vazhdojmë edhe me dhomat e tjera të noterisë në të gjithë Shqipërinë, që deri në fund të Shkurtit t’i kemi trajnuar të gjithë noterët dhe ky shërbim të jepët në të gjithë vendin”, theksoi z. Manjani

 

Gjithashtu z. Manjani u shpreh i vendosur për konkretizimin e një reforme të thellë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtura duke vlerësuar se në drejtim të dixhitalizimit dhe të azhornimit të të gjithë informacionit në mënyrë dixhitale, ky do të jetë viti i dixhitalizimit të këtij shërbimi.

 

Gjatë fjalës së saj, zj. Mimoza Sadushi, kryetare e Dhomës Kombëtare të Noterisë, bëri me dije se tashmë me këtë sistem mundësohet kalimi i të gjithave transaksioneve nëpërmjet zyrës noteriale si dhe një sërë shërbimesh të tjera që janë parashikuar.

“Gjithësej 27 shërbime do të realizohen nëpërmjet zyrave noteriale. Pra qytetarët e Tiranës, duke qenë se ky projekt fillon me Tiranën dhe më pas do të shkojmë në Durrës dhe me qytetet e tjera, tashmë do të kenë 200 sportele ku do të drejtohen për të marrë shërbimet e tyre”, tha z. Sadushi

Gjithashtu zj. Sadushi vlerësoi rolin e Ministrit Manjani lidhur me realizimin e këtij projekti që sipas saj do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve

“Një falenderim të veçantë për të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti por veçanërisht për z. Manjani, sepse falë nismës, vizionit dhe këmbënguljes së tij, ky projekt u realizua me sukses. Gjithashtu dua ta falenderoj edhe për besimin që ka tek noterët shqiptar, duke ju ngarkuar detyra dhe përgjegjësi të reja”, u shpreh z. Sadushi

Referuar marrëveshjes së nënshkruar në nisje të ceremonisë, e cila do të sanksionojë bashkëpunimin mes ZVRPP dhe Dhomës Kombëtare të Noterisë, Kryeregjistruesi z. Ilirjan Muho bëri me dije se në këtë marrëveshje parashikohen në mënyrë të hollësishme të gjitha procedurat që ju japin të drejtë noterëve, që të aplikojnë online në regjistrin elektronik të pasurive.

happy wheels

Add your comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *