Task Forca Ndërinstitucionale Antikorrupsion, ministrja Gjonaj procedon penalisht drejtues të niveleve të ndryshme

Task Forca Ndërinstitucionale Antikorrupsion, ministrja Gjonaj procedon penalisht drejtues të niveleve të ndryshme

Një ndër angazhimet kryesore të qeverisë, që në ditën e parë të mandatit edhe në vazhdim ka qenë dhe është lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarit.

Tashmë, është e qartë për të gjithë se suksesi i përpjekjeve të qeverisë është i lidhur ngushtë me bashkëpunimin e qytetarëve, të cilët janë të parët që ndeshen me aktet korruptive, apo me shfaqjet e abuzimit me detyrën të drejtuesve dhe punonjës vetë institucioneve publike.

Nisur nga ankesat dhe denoncimet e qytetarëve në Platformën Shqipëriaqëduam.al, për veprime abuzive, ose raste korruptive nga administrata publike,  me vendim të Këshillit të Ministrave në prill 2018 është ngritur Task Forca ndërinstitucionale antikorrupsion, e cila drejtohet nga Ministri i Drejtësisë.

Task Forca Antikorrupsion ka në përbërje të saj drejtues dhe stafet e institucioneve, apo drejtorive që janë të lidhura drejtpërdrejtë me inspektime dhe kontrolle për rastet e paligjshmërisë, si Inspektoratin qendror, Njësinë e transparencës dhe Antikorrupsionit në Kryeministri,  Agjencinë e Prokurimeve Publike, dhe Zyrën Operacionale të situatës në Kryeministri.

Gjatë periudhës 2-mujore, maj – qershor 2018, Task Forca Antikorrupsion ka ushtruar kontroll me synim evidentimin e praktikave abuzive, korruptive dhe arbitrare në 35 institucione qendrore ku ofrohet shërbim ndaj qytetarëve.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, kanë rezultuar shkelje ligjore dhe administrative të drejtuesve dhe punonjësve të këtyre institucioneve, një pjesë e të cilave arrijnë në kufijtë e veprës penale.

Më lejoni që në cilësinë edhe të Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, të deklaroj se kemi konstatuar se bashkëpunimi i qytetarëve me strukturat antikorrupsion po jep rezultate konkrete në evidentimin dhe ndëshkimin e nëpunësve të ndryshëm, deri në nivele drejtuese, të cilët me aktet e tyre abuzive kanë shkelur në mënyrë të hapur ligjin.

Vetëm për periudhën Maj – Qershor 2018, Task Forca Ndërinstitucionale Antikorrupsion ka rekomanduar Ministrave dhe drejtuesve të përgjithshëm 172 masa disiplinore, prej të cilave 28 largime nga detyra.

Largimet nga detyra përfshijnë një numër të lartë punonjësish dhe një sërë drejtuesish të zyrave rajonale të hipotekës, ALUIZNIT, Tatimeve,  AKU-së, inspektorateve, Drejtorive Bujqësore, etj.

Konkretisht janë larguar nga detyra 4 drejtues drejtorish, 5 përgjegjës sektorësh dhe 19 specialistë.

Nga kontrollet e ushtruara nga Task Forca Antikorrupsion, janë depozituar në organin e Prokurorisë, dhe 3 kallëzime penale, për 6 drejtues të niveleve të ndryshme të administratës.

Kallëzim  penal për Regjistruesin e ZVRPP Krujë, për shkelje ligjore të rënda që plotësojnë elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Nga kontrollet janë konstatuar vonesa pa asnjë justifikim të praktikave të qytetarëve, veprime të dyshuara për korrupsion lidhur me certifikatat e pronësisë,  mungesë transparence për menaxhimin e aplikimeve të qytetarëve, etj.

Është depozituar kallëzim  penal për drejtorin e ALUIZNI-t Sarandë dhe për tre përgjegjës të po kësaj drejtorie, të sektorit të legalizimit dhe planifikimit urban  dhe të sektorit të kalimit të pronësisë, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës,  duke legalizuar sipërfaqe në letra më të mëdha se ato në realitet si dhe për mos respektim të afateve dhe procedurave për raste të legalizimeve.

Po ashtu është kryer kallëzim penal për përgjegjësin e sektorit në sektorin e asistencës dhe shërbimit ndaj tatimpaguesve në Drejtorinë Tatimore Rajonale Vlorë, ku dyshohet për kryerjen e veprimeve që lidhen me shpërdorimin e detyrës.

Duke marrë shkas rëndësinë që ka për qytetarët, si dhe për shkeljet që janë evidentuar, shpreh bindjen e plotë se Prokuroria do të veprojë sa më shpejt në hetimin e gjithanshëm dhe në zbardhjen e rasteve dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore personat e kallëzuar  dhe çdo person të implikuar në këto çështje.

Tashmë kemi hyrë në një fazë të thelluar të luftës kundër korrupsionit ku do të kërkonim jo vetëm mbështetjen e institucioneve të hetimit dhe të gjykimit, por edhe të inkurajonim edhe një herë, të gjithë qytetarët, që të na bashkohen në këtë luftë të përbashkët kundër korrupsionit dhe abuzimit me detyrën, si e vetmja mundësi për të ndryshuar njëherë e mirë kulturën dhe praktikën e pandëshkueshmërisë.

Kontrollet e Task Forcës Antikorrupsion, në bazë të denoncimeve të qytetarëve, do të vijojnë pranë të gjitha institucioneve që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve, duke synuar ndëshkimin e praktikave abuzive, korruptive dhe arbitrare dhe marrjen e masave të duhura për rikthimin e ligjshmërisë në këto institucione.

Dua të shpreh angazhimin e qeverisë, se çdo denoncim i juaj do të vlerësohet me seriozitetin maksimal dhe asnjë tolerim nuk do tiketë për këdo nëpunës të administratës publike që do të guxojë të abuzojë me detyrën apo të kryejë veprime korruptive.

happy wheels

Add your comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *