Ministrja Gjonaj inspektim në Vlorë: Qytetarët të denoncojnë korrupsionin në administratë në portalin shqipëriaqëduam.al

Ministrja Gjonaj inspektim në Vlorë: Qytetarët të denoncojnë korrupsionin në administratë në portalin shqipëriaqëduam.al

Ministrja e Drejtësisë, zonja Etilda Gjonaj u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast korrupsioni apo mungese shërbimi në portalin shqipëriaqëduam.al

Ministrja e Drejtësisë në kuadër të takimeve me bazë qarku dhe platformës së bashkëqeverisjes me qytetarët e zakonshëm, zhvilloi më datë 20 Shkurt 2018 vizita pune në institucionet e varësisë të qarkut Vlorë. Gjatë kësaj vizite Znj. Gjonaj si fillim u prit në Bashkinë e Vlorës nga Kryetari z. Dritan Leli dhe Prefekti i Qarkut Vlorë z. Flamur Mamaj, në të cilën theksoi bashkëpunimin e mirë midis pushtetit vendor dhe qendror për zgjidhjen e problematikave të ndryshme.

Vizitën e parë Znj.Gjonaj e zhvilloi në ZVRPP Vlorë, ku u takua me qytetarët e pranishëm pranë sporteleve të pritjes së popullit të këtij institucioni për t`u njohur nga afër me problematikat e qytetarëve në lidhje me procesin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ministrja Gjonaj në fjalën e saj gjatë takimit me drejtuesin dhe stafin e këtij institucioni kërkoi trajtimin e të gjitha ankesave të qytetarëve brenda afatit kohor 10 ditor, duke insistuar në mos zvarritjen apo sorollatjen e qytetarëve për dhënien e përgjigjeve në kohë për aplikimet e paraqitura.

Znj. Gjonaj në në një prononcim për median u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet korruptive në portalin shqipëriaqëduam.al. Qeveria shqiptare, theksoi znj. Gjonaj, po ndërmerr një reformë të madhe për çështjen e pronave, duke i trajtuar në mënyrë të integruar të gjithë titujt e pronësisë përmes një Agjencie.

Kryeregjistruesi Semanaj në takimin me punonjësit e ZVRPP u kujtoi atyre se janë në provë përballë publikut. “Platforma e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al është matësi i punës së gjithësecilit. Çdo ankesë e qytetarëve për mungesë shërbimi, zvarritje apo shpërdorimi me detyrën është penalizim për punonjësin që e kryen atë”, u shpreh kryeregjistruesi Semanaj.

Në takimin në zyrën e ALUIZNI-t në Vlorë, Ministrja Gjonaj kërkoi nga ky institucion që të përfundohen sa më shpejt të gjitha legalizimimet të cilat janë në proces konform kritereve ligjore. Nga ana tjetër prioritare është kryerja e procesit të legalizimeve duke përcaktuar zonat në bllok dhe jo në mënyrë selektive. Shërbimi ndaj qytetarit duhet të përbëjë një prioritet kryesor edhe në këtë institucion me qëllim dhënien e një shërbimi të merituar dhe të shpejtë brenda afateve ligjore.

Në takimet e zhvilluara në IEVP-në e Vlorës, Ministrja e Drejtësisë vuri theksin në  reformën e ndërmarrë me nisjen e procesit të vettingut për policinë e burgjeve, duke theksuar se “punonjësit e rinj do të rekrutohen pranë strukturave vetëm pas testimeve dhe trajnimeve nga Akademia e Sigurisë”. Nga ana tjetër Znj. Gjonaj theksoi se së shpejti do të nisë edhe trajnimi i punonjësve aktual në sistemin penitenciar në mënyrë që çdo punonjës në këto institucione të përmbushë kriteret prioritare sa i përket profesionalizmit, integritetit apo verifikimit të gjendjes gjyqësore.

Gjatë vizitës në Vlorë, në kuadër të platformës së bashkëqeverisjes me qytetarët znj. Gjonaj zhvilloi gjithashtu një dëgjesë publike me komunitetin mbi problematikat në sektorin e drejtësisë në këtë qark. Gjatë bashkëbisedimit, Ministrja e Drejtësisë vlerësoi si tepër të rëndësishme procesin e Reformës në Drejtësi, si më e madhja e ndërmarrë në këto 27 vite duke theksuar se jemi në fazën e marrjes së rezultateve të para nga procesi i Vettingut. Në kuadër të jetësimit të kësaj reforme znj. Gjonaj shprehu edhe njëherë mbështetjen e plotë buxhetore dhe infrastrukturore të qeverisë shqiptare për ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja të drejtësisë. Së bashku me qytetarët u trajtuan një sërë shqetësimesh dhe problematikash kryesisht lidhur me procesin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për të cilat znj. Gjonaj premtoi që do të ndiqen nga ana e Ministrisë me qëllim që qytetari të marri përgjigje apo zgjidhje në bazë të kërkesë së paraqitur prej tij.

Ministrja e Drejtësisë ftoi të gjithë qytetarët që ankesat e tyre t’i adresojnë në portalin shqipëriaqëduam.al me premtimin që çdo ankese në këtë portal shkon në tryezë të Ministrit dhe stafit të tij të cilët angazhohen maksimalisht për zgjjidhjen dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve brenda një kohe jo më vonë se 10 ditë.

Në përfundim të këtij takimi, Ministrja vlerësoi praninë e Prefektit të Vlorës z. Flamur Mamaj, kryebashkiakut z. Dritan Leli, kryebashkiakut të Himarës, z. Jorgo Goro, si dhe të deputetëve të qarkut Vlorë duke falenderuar gjithë qytetarët e pranishëm dhe ata të cilët bënë publike problematikat apo shqetësimet e tyre.

happy wheels

Add your comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *