Kryeministri Rama: Të gjithë në provë para qytetarëve që kërkojnë shërbim nga hipotekat

Kryeministri Rama: Të gjithë në provë para qytetarëve që kërkojnë shërbim nga hipotekat

Kryeministri Rama mori pjesë bashkë me ministren e Drejtësisë, Gjonaj në prezantimin e drejtorëve të rinj të ZRPP dhe ALUIZNI-t, të zgjedhur me konkurs.

Për kreun e qeverisë, aleanca me qytetarët do të largojë grabitqarët nga zyrat e shtetit.

“Ky takim është publik, sepse është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët ta ndjekin këtë proces përpjekjesh të mëdha, të vështira, që ne kemi ndërmarrë për të përmbysur sistemin e korrupsionit, të ryshfetit, të grabitjes dhe të parazitizmit në zyrat e hipotekave të republikës. Kjo është arsyeja, pse takimi është publik. Po ashtu, ne do të vazhdojmë të kërkojmë me insistim aleancën me njerëzit e zakonshëm, pra, me publikun, për të luftuar të gjithë grabitqarët dhe parazitët që vazhdojnë të kenë vend në këtë sistem”, tha kryeministri Rama.

Drejtuesit e rinj të hipotekave, sipas kryeministrit Rama, janë kualifikuar pas një konkursi transparent, madje dhe të përsëritur për shkak të rezultateve jo të pritshme.

“Dua ta theksoj qartë që qysh nga korriku, kur unë i kam kërkuar në bllok dorëheqjen të gjithë drejtuesve të hipotekave dhe deri më sot kanë kaluar 6 muaj. E fakti që sot finalizohet emërimi i të gjithë drejtuesve të rinj, në bazë të një procesi aspak të lehtë seleksionimi, me konkurse të përsëritura, vjen si rezultat jo i ndonjë detyrimi ligjor, apo i ndonjë detyrimi të një natyre tjetër, përveç detyrimit moral ndaj publikut dhe ndaj vetes, për të bërë më të mirën në përzgjedhjen e drejtuesve dhe drejtueseve të hipotekave. Kjo është arsyeja pse jemi “vonuar” dhe kjo është arsyeja pse unë i refuzoj të gjitha pretendimet dhe të gjitha insinuatat për ndërhyrje në këto konkurse, pasi askush, as ligji dhe as ndonjë forcë jashtë forcës sonë të vullnetit për ta bërë këtë punë në mënyrën më të mirë, nuk na detyronte që të bënim konkurse”, tha kryeministri Rama.

Sipas tij, drejtuesit e rinj janë në provë përballë publikut që pret shërbime më të mira në sportelet e ZRPP-ve dhe ALUIZNI-t. “Dua ta bëj shumë të qartë edhe për ata që hedhin romuze dhe shfaqin skërmitjet e cinizmit në publik, se një drejtor këtu, apo një drejtor aty, na paskësh qenë kontributor i Partisë Socialiste në fushatën paraardhëse, apo në fushata paraardhëse. Këto procese nuk përjashtojnë socialistët. Këto procese u japin mundësi të gjithëve që të përfshihen dhe padyshim që, për ne, kriteri i vlerësimit nuk fillon nga të qenit socialist, apo të qenit demokrat. Ai fillon nga të qenit i aftë apo i paaftë, i gatshëm apo jo i gatshëm për ta bërë këtë punë. Ashtu siç kam besim se është bërë zgjedhja më e mirë e mundshme, në kushtet kur është zhvilluar i gjithë ky proces, kam edhe bindjen se jemi ne të parët, ministrja e Drejtësisë dhe e gjithë struktura përgjegjëse, që duhet të verifikojë çdo ditë në veprim drejtësinë dhe vlerën e çdo zgjedhjeje. Të gjithë jeni në provë. Provën nuk e keni me ndonjë parti, nuk e keni as me qeverinë, por e keni me popullin shqiptar dhe me publikun e me qytetarët që vijnë në dyert e hipotekave. Kjo është prova”, tha kryeministri Rama.

Ai foli gjithashtu dhe për procedime penale për punonjës të hipotekave pas denoncimeve të qytetarëve.

“Janë 35 punonjës hipotekash, të cilët janë larguar nga detyra dhe tani janë nëpër procese penale, si pasojë e funksionimit të platformës së bashkëqeverisjes. E dua t’ju them të gjithëve ju që kjo platforme vërtetë ka në themelin e vet lidhjen direkte të qytetarit që ankohet me ministrin e sektorit përkatës, vërtetë ministrja e Drejtësisë është instanca që merr drejtpërdrejtë dhe interesohet drejtpërdrejtë për çdo ankesë të çdo qytetari në hipotekë, por nga ky moment, çdo drejtor hipoteke do mbajë përgjegjësi për çdo ankesë të qytetarëve, për dhënien në kohë të përgjigjes ndaj qytetarit dhe marrjen e masës se kush është përgjegjës që qytetari është vonuar apo zvarritur në hipotekë. Që do të thotë se nuk duhet të prisni telefonatën e koordinatorit të bashkëqeverisjes në zyrën e ministres, nuk duhet të prisni që t’ju alertojë ministrja e Drejtësisë, por duhet të alertoheni vetë në kohë reale, duke parë e duke dhe ndjekur orë për orë platformën e bashkëqeverisjes, për të konstatuar nëse ka ankesë apo kërkesë nga qytetarët për zyrën që ju do të drejtoni dhe në kohë reale duhet t’i jepni përgjigje qytetarëve”, tha kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë vlerësoi punën e drejtuesit të ALUIZNI-t. “Për Drejtorin e Përgjithshëm të hipotekave kam mesazh shumë të thjeshtë dhe të qartë; Ashtu si Artan Lame është në krye vetë personalisht çdo ditë, për të ndjekur funksionimin e platformës së bashkëqeverisjes dhe për të dhënë përgjigje në kohë reale për çdo ankesë të qytetarëve përmes platformës, – po ju them është institucioni që nuk ka asnjë vonesë, zero, në përgjigje ndaj qytetarëve, që zbaton para afatit, afatin prej 10 ditësh për të dhënë përgjigje, – Drejtori i Përgjithshëm i hipotekës duhet të bëjë të njëjtën gjë. Të mos kemi më asnjë vonesë në dhënien përgjigje për ankesat e qytetareve dhe asnjë hezitim për të goditur çdo shkaktar të tyre në vonesa”, tha kryeministri Rama.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, foli për një proces meritokratik në përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të zyrave rajonale.

“Me qëllim forcimin e institucioneve ligjzbatuese dhe kryesisht atyre agjencive që merren me trajtimin e pronave për herë të parë zhvilluam një proces transparent dhe meritokratik në përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të zyrave rajonale. Kjo me qëllim rekrutimin e kandidatëve më profesionistë dhe me integritet moral dhe profesional për të shërbyer në krye të këtyre zyrave. Ky është vetëm hapi i parë i reformës në trajtimin e titujve të pronësise, i cili do të pasohet me një vlerësim të stafit lidhur me përputhshmërinë e formimit të tyre profesional me pozicionin e punës”, tha ministrja Gjonaj.

Sipas saj, “reforma e pronës është një ndër reformat më të rëndësishme të ketij mandati, e cila do të ndiqet me një proces të mirëstudiuar për trajtimin e integruar të titujve të pronësisë”.

Edhe ministrja Gjonaj vlerësoi bashkëpunimin me qytetarët për të luftuar rastet abuzive dhe korruptive në zyrat e ZRPP-ve dhe ALUIZNI-t.

“Jemi të vendosur që aleatit tonë, që janë qytetarët, t’u realizohen të drejtat pa asnjë cënim dhe se detyra e seicilit nga ju është që të angazhohet maksimalisht për të arritur këtë synim. Ashtu siç jemi të vendosur për të mos toleruar asnjë lloj abuzimi që do të bëhet nga stafi i zyrave që kanë detyrimin ligjor për të ofruar shërbimin profesional dhe të shpejtë kundrejt qytetarëve. Që të jemi të suksesshëm duhet që seicili nga ju në drejtim të këtyre zyrave ta kuptojë pozicionin vetëm në shërbim dhe për interes të qytetarëve”, tha ministrja Gjonaj gjatë prezantimit të drejtuesve të rinj lokale të ZRPP dhe ALUIZNI-t.

happy wheels

Add your comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *