Kryeregjistruesja Blerina Doracaj zhvilloi një takim me përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Noterëve dhe të Përmbaruesve.
Takimi ishte në funksion të zbatimit të Udhëzimit të përbashkët ndërmjet ZRPP-së dhe dy Dhomave Kombëtare.
Përmes Udhëzimit të përbashkët, noterëve u jepet e drejta të kryejnë transaksione online, ku 27 shërbime do të realizohen nëpërmjet zyrave noteriale. Aplikimi që është bërë deri më sot dhe vazhdon dhe bëhet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mund të kryhet te zyra e noterit dhe të çohet online në zyrën e regjistrimit.
Menjëherë, personi përgjegjës në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme verifikon dokumentacionin dhe kthen përgjigje online te zyra e noterit. Pra, kjo është një mundësi, një lehtësim që u japim qytetarëve të Shqipërisë, për ta marrë këtë shërbim te zyra e noterit, pa qenë nevoja që ata të mbajnë radhën në Zyrat e Regjistrimit të Pasurisë.
Çdo veprim me pronat e paluajtshme, qoftë shitje, dhurim, vërtetim prone etj., tashmë bëhet te zyra e noterit.
Për të përmirësuar bashkëpunimin mes ZRPP-së dhe Dhomës Kombëtare të Noterëve, në zbatim të Udhëzimit të përbashkët, në takim u vendos që për çdo zyrë vendore të caktohet një person kontakti dhe nga ZRPP-ja dy persona, të cilët do të ndjekin zbatimin e marrëveshjes dhe problematikat me zyrat vendore dhe Dhomën Kombëtare të Noterëve.
Për të lehtësuar shërbimin e qytetarëve në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, kryeregjistruesja Doracaj dhe përfaqësuesit e Dhomës Kombëtare të Noterëve ranë dakord që të ketë shkëmbim udhëzimesh ndërmjet dy institucioneve.
Në takim u raportua dhe për diferencime në trajtimin e aplikimeve të noterëve nga ana e administratës së ZRPP-së. Për t’i dhënë fund kësaj anomalie, kryeregjistruesja u angazhua që të ndjekë vetë respektimin e radhës së veprimeve/transaksioneve të bëra nga noterët. Kjo është e garantuar nëpërmjet sistemit të aplikimit online.
Për mbarëvajtjen sa më të mirë të këtij shërbimi, që u ofrohet qytetarëve, si zbatim i VKM-ve të qeverisë dhe Udhëzimit të përbashkët ndërmjet ZRPP-së dhe Dhomës Kombëtare të Noterëve, do të zhvillohen takime periodike mujore me përfaqësues të ZRPP-së dhe Dhomës Kombëtare të Noterëve.
Por dy institucionet do të zhvillojnë takime periodike edhe në nivel teknik/IT për të përmirësuar funksionimin e sistemit elektronik, pasi të gjitha veprimet kryhen online.
Në takimin me Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë u ra dakord që të caktohet një person kontakti nga ZRPP-ja, që do të ndjekë zbatimin e marrëveshjes ndërmjet dy institucioneve.
Referuar ofrimit të shërbimit online nga ana e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, sipas marrëveshjes me Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, përmbaruesit do të paraqesin kërkesat e tyre tek operatorët e ZRPP-ve nëpërmjet sistemit elektronik SIAIP (Sistemi i Integruar i Administrimit të Informacionit të Përmbaruesit).
Aktualisht, sistemit SIAIP, i rikonfiguruar për të kryer një ndërveprim elektronik për të gjitha llojet e shërbimeve me zyrat e ZRPP-ve, i ofrohet mundësia ndërlidhëse vetëm e aplikimit online për marrjen e informacionit zyrtar për pasuritë e individëve dhe subjekteve juridike ose institucioneve.
Sa i përket marrjes së shërbimeve të kërkuara online, përmbaruesit gjyqësorë privatë do të kryejnë pagesat për shërbimet e kërkuara sipas llojit dhe tarifave të shërbimit të afishuara ne ZRPP.