KREU I ZYRES SE REGJISTRIMIT TE PASURIVE TE PALUAJTSHME ILIRJAN MUHO: PROCEDURAT PËR RIVLERËSIMIN E 4 MILIONË PASURIVE

KREU I ZYRES SE REGJISTRIMIT TE PASURIVE TE PALUAJTSHME ILIRJAN MUHO: PROCEDURAT PËR RIVLERËSIMIN E 4 MILIONË PASURIVE

maxresdefault3

Kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ilirjan Muho ka shpjeguar procedurat që do të ndiqen për rivlerësimin e 4 milionë pasurive në shkallë vendi. Muho shpjegon se për rivlerësimin e pasurisë i është lënë çdo gjë në dorë pronarit të shtëpisë, tokës apo biznesit që do të rivlerësohet. Pronari mund të zgjedhë një ekspert për vlerësimin ose mund të marrë si referencë hartën e vlerës së pasurive. “Numri i pasurive është i konsiderueshëm, sepse janë toka dhe ndërtesa. Numri i tyre arrin deri në 4 milionë pasuri në të gjithë vendin. Zyrat e regjistrimit janë të gatshme të bëjnë regjistrimin. Udhëzimi parashikon edhe dy formularë që duhet të tërhiqen nga qytetarët në zyrat e Hipotekës. Pronari i pasurisë së paluajtshme do të plotësojë dy pikat e para të formularit, ndërsa pikat e tjera plotësohen nga punonjësi i Hipotekës. Në momentin që paraqitet në Hipotekë, qytetari merr formularin dhe më pas fillon procesi i rivlerësimit, që shkon deri në 48 orë. Ligji parashikon që procesi i rivlerësimit kryhet nga një ekspert i licencuar ose nga punonjësit e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në rast se do të bëhet nga punonjësi i zyrës, do të jetë si çmim ai i përcaktuar në hartën e vlerës së tokës apo apartamenteve, që është në fuqi në momentin e rivlerësimit të pasurisë. Ndërsa, kur është me ekspert të pavarur, çmimi mbetet i plotë në dorë të vlerësuesit të zgjedhur”, -thotë Muho.
Për rivlerësimin e tokës, si truall, si tokë bujqësore do të merret si referencë në rast se nuk zgjidhet ekspert, harta e vlerës.

Procedura
Individi paraqitet për rivlerësim të pasurisë pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive ku është e regjistruar pasuria në pronësi të tij, duke plotësuar formularin “Kërkesë për rivlerësim”. Më pas individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse. Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, formularit duhet t’i bashkëlidhet fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe akti origjinal i vlerësimit të pasurisë, të nënshkruar dhe vulosur nga eksperti vlerësues i pasurisë.

Llogaritja e tatimit
Baza e tatueshme, në këtë rast, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal, dhe vlerës së pasurisë sipas aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurisë, rivlerësimi bëhet me çmimet minimale fiskale që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit. Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale në fuqi, dhe vlerës së pasurisë së aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi.

Udhëzimi
Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe e kanë të regjistruar ose e fitojnë të drejtën e pronësisë dhe e regjistrojnë atë deri në datën 28 shkurt, kanë të drejtë që brenda këtij afati të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut, si dhe të përmbushin detyrimet e parashikuara sipas ligjit. Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa. Nga e drejta e rivlerësimit përfitojnë të gjithë individët që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe e kanë të regjistruar atë, përfshirë edhe rastet kur për pasurinë e paluajtshme është bërë më parë rivlerësim i saj.

happy wheels

Add your comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *