Zbatimi i ligjit të trajtimit të pronës, qeveria miraton tre vendime të rëndësishme

Zbatimi i ligjit të trajtimit të pronës, qeveria miraton tre vendime të rëndësishme

big_ux1a3132

 

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani në përfundim të mbledhjes së sotme të Qevesisë, ka dalë në një deklaratë për media, ku ka bërë me dije detaje mbi tre vendime të miratuara gjatë kësaj mbledhje, të cilat lidhen mefillimin e zbatimit të ligjit të ri të Trajtimit të Pronës.

Ministri Manjani theksoi në këtë dalje per median se miratimi i këtyre tre vendimeve nga ana e Qeverisë Shqiptare, bën të mundur që duke nisur nga dita e nesërme, Agjencia e Trajtimit të Pronës të fillojë menjëherë kthimin fizik të pronës.

 

Më poshtë fjala e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani:

 

Sot Këshilli i Ministrave mori tre vendime të rëndësishme, që kanë të bëjnë me trajtimin e pronës. Janë vendime që kanë të bëjnë me përcaktimin e rregullave se si do të funksionojë Agjencia e Trajtimit të Pronës, se si do të bëhet kompensimi dhe kthimi i pronës dhe se si do të bëhet mënyra e shqyrtimit të aplikimeve, apo të kërkesave të pronarëve, për vlerësimin e pronës.

Të tre këto janë vendime të rëndësishme, të cilat bëjnë të mundur që duke nisur nga nesër në orën 08:00, kur të fillojë punë Agjencia e re e Trajtimit të Pronës fillon menjëherë kthimi fizik i pronës.

Pra, për të gjithë ata që kanë patur pyetje apo shqetësime të ngritura nga debati politik, i pavend, që nesër fillon kthimi fizik, aty ku prona është e lirë, ajo kthehet.

Që nesër fillojnë të zbatohen me përparësi 24 milionë dollarët e parë, të caktuara në këtë vit buxhetor si fond për kompensimin e pronave të pronarëve. 24 milionë dollarë, si asnjëherë tjetër më parë, janë të gatshme që duke nisur nga nesër të fillojë lëvrimi i tyre.

Janë 26 mijë vendime, qytetarë-pronarë të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë dhënë deri më sot nga Agjencia e Kompensimit të Pronave, por që askush nuk ka menduar se çfarë duhet të bëjë me to, për të përcaktuar statusin ekonomik dhe vlerësimin e tyre.

Që nesër, këto vendime fillojnë të vlerësohen dhe do të kenë një çmim. Për këtë gjë do të njoftohen publikisht dhe individualisht të gjithë poseduesit e këtyre vendimeve.

Që nesër, 23 mijë hektarë tokë bujqësore është e gatshme për t’u vënë në dispozicion si fond kompensimi fizik për të gjithë ata pronarë, toka e të cilëve është e zënë dhe shteti dhe ligji iu ka borxh që t’u japë diçka.

11 mijë qytetarë të Republikës së Shqipërisë që kanë aplikuar ndër vite në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nëpërmjet dosjeve për të marrë pronën e tyre, por që sot statusi i atyre dosjeve është asgjë, ose i pluhurosur në harresë, që nesër fillon shkundja e pluhurit dhe fillon trajtimi i tyre, analiza e tyre me përgjegjshmëri publike. Edhe këta 11 mijë qytetarë do të kenë informacion publik që nesër në faqen zyrtare të internetit, si fillim, të Agjencisë së Trajtimit të Pronës.

Për të gjithë ata qytetarë të Republikës të Shqipërisë të cilët, për një arsye, apo për një tjetër, nuk kanë pasur mundësinë që të aplikojnë për të kërkuar pronën e tyre, janë të lutur, që sot po të duan, të paraqesin një kërkesë vetëm me dy letra. Dy letra nga 30 që kanë qenë deri më sot, një dokument origjine dhe një hartë të pretenduar se ku gjendet prona. Kaq! Vetëm këto dy letra. Në momentin që paraqiten këto dy letra dhe një kërkesë në Agjencinë e Trajtimin të Pronës, është barra jonë, është barra e kësaj Agjencie, që të shkojë t’i verifikojë për atë që kanë bërë deri më sot.

Keni parë pronarë me letra nën sqetull, nga një zyrë tek tjetra, që janë endur prej vitesh e vitesh, nuk do të ndodhë më. Mjafton të na vini në dijeni me një kërkesë dhe dy letra dhe pas kësaj është barra jonë që të gjejmë të vërtetën, të gjejmë ku është prona dhe të fillojmë procedurën e trajtimit. Të gjitha këto, që nesër.

Ky është ligji i ri i pronave.

Këto janë vendimet e qeverisë.

Kjo është oferta më serioze, – e theksoj këtë, – më serioze që ka deri më sot shteti shqiptar për shtresën e pronarëve, që pa të drejtë quhen ishpronarë. Ofertë, e cila bën të mundur njëherë e mirë sqarimin e çështjes së pronës. E dyta, sqarimi, sigurisht sipas interesave publike, gjithashtu. Sepse ne nuk mund të ngarkojmë një kategori kundër një tjetre, por në një mënyrë shumë të harmonizuar siç është lënë me ligjin për trajtimin e pronës. Këto vendime të qeverisë nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se e zbërthejnë më tej.

Kam dhe një lajm të fundit, për të gjithë ata shtetas, prona e të cilëve është e zënë nga ndërtimet pa leje. Duke nisur nga nesër fillon kompensimi, pra, kthimi i parave të pronës së zënë. Për fat të keq, ende në masën 70%, sepse kaq para kemi mbledhur dhe mbesim me angazhimin që 30%-shi i mbetur të jetë sqaruar deri në fund të mandatit të kësaj qeverie, por në varësi të ecurisë së procesit të legalizimit edhe më shpejt mund të jetë e arritshme.

Këto janë të gjitha njoftimet që unë kam sot në emër të Qeverisë për të bërë për të gjithë pronarët legjitimë në këtë vend, ashtu siç për të njoftuar edhe angazhimin tepër serioz të Qeverisë Shqiptare, të trajtimit të pronës në këtë vend për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë çështje.

 

http://www.kryeministria.al/al/newsroom/lajme/qeveria-tre-vendime-te-rendesishme-per-zgjidhjen-e-ceshtjes-se-prones1458741017

happy wheels

Add your comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *